Britania nënshkroi marrëveshje të përbashkëta ushtarake me Suedinë dhe Finlandën
Kryeministri i Britanisë tha se vendi i tij ka nënshkruar marrëveshje të reja me Suedinë dhe Finlandën për të forcuar sigurinë evropiane dhe premtoi se do t'i mbështesë këto vende në rast të një sulmi ndaj forcave të tyre të armatosura.
Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se Boris Johnson nënshkroi këto marrëveshje gjatë një vizite që zhvilloi në Suedi dhe Finlandë të mërkurën.
Britania i ka quajtur këto marrëveshje një "ndryshim të rëndësishëm në politikën për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë".
Operacionet ushtarake speciale të Rusisë kundër Ukrainës e kanë shtyrë Suedinë dhe Finlandën që janë fqinjë të Rusisë, të rishqyrtojnë politikat e tyre në lidhje me garantimin e sigurisë së brendshme.
Të dy vendet janë të vendosura për t'u anëtarësuar në NATO, por të dy këto vende janë të shqetësuar se mund të jenë në rrezik gjatë procesit të pranimit në NATO, i cili mund të zgjasë deri në një vit.
Boris Johnson tha se natyra e çdo ndihme "do të varet nga kërkesa e palës tjetër", por se NATO është një aleancë e mbrojtës.
Lufta në Ukrainë është bërë shkak që Suedia dhe Finlanda, të shqetësohen për kërcënimin e mundshëm nga Rusia dhe si rezultat i kësaj, kanë filluar të rishqyrtojnë pozicionin e tyre dhe të konsiderojnë anëtarësimin e tyre në NATO.
Kremlini ka paralajmëruar më parë në lidhje me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, duke thënë se nëse këto dy vende anëtarësohen në NATO, ajo do të marrë masa serioze kundër një vendimi të tillë.