Tragjeditë në shkollat amerikane
Drejtorja Ekzekutive e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka kritikuar të shtënat në një shkollë fillore në Teksas.
Të martën e kësaj jave Teksasi u përfshi nga një sulm tragjik në një shkollë fillore ku humbën jetën 19 fëmijë dhe dy mësues. Një i ri i armatosur goditi pa ndalim në një klasë duke lënë një bilanc tragjik vdekjes. Kjo nuk është hera e parë që ndodhin këto sulme në SHBA, pasi që nga viti 2008 ka pasur sulme të vazhdueshme nëpër shkolla. Sipas CNN, 5 prej tyre konsiderohen si më tragjiket, të cilat i kanë marrë jetën 175 fëmijëve dhe të rriturve. Këto të shtëna vdekjeprurëse kanë ndodhur në Njuton, Konektikat, Parkland, Florida ; Santa Fe, Teksas, Oksford, Miçigan dhe të shtënat masive të së martës në Teksas. Sulmet me armë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ndodhur për shkak se shumë amerikanë kanë të drejtën për të mbajtur armë, të sanksionuar në Kushtetutën e SHBA, si e shenjtë. Por dekadat e fundit kjo e drejtë po kërcënon një tjetër, e cila është e drejta për jetë. Marrëdhënia e Amerikës me zotërimin e armëve konsiderohet unike në botë, por po shkakton pasoja të tjera katastrofike në njerëz.