Reuters: Venezuela eksporton naftë në Evropë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i128288-reuters_venezuela_eksporton_naftë_në_evropë
Kompania italiane e naftës Eni dhe kompania spanjolle Raspol kanë marrë leje për të importuar naftë nga Venezuela për të kompensuar mungesën që u krijua nga zbatimi i programit për të reduktuar varësinë e Evropës nga nafta ruse, raportoi agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar pesë zyrtarë të informuar.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Qershor 06, 2022 14:05 Europe/Tirane
  • Reuters: Venezuela eksporton naftë në Evropë

Kompania italiane e naftës Eni dhe kompania spanjolle Raspol kanë marrë leje për të importuar naftë nga Venezuela për të kompensuar mungesën që u krijua nga zbatimi i programit për të reduktuar varësinë e Evropës nga nafta ruse, raportoi agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar pesë zyrtarë të informuar.

Sipas një raporti të agjencisë së lajmeve Reuters të dielën, Departamenti Amerikan i Shtetit i dërgoi një letër kompanive Eni dhe Raspol duke njoftuar se këto kompani mund të rifillojnë importin e naftës nga Venezuela nga muaji i ardhshëm; importe këto që u ndërprenë dy vjet më parë nën presionin e madh të sanksioneve të naftës të Uashingtonit kundër Karakasit.

Megjithatë, një zyrtar i informuar i tha agjencisë së lajmeve Reuters se vëllimi i naftës që marrin kompanitë Eni dhe Respol nuk do të jetë i mjaftueshëm për të ndikuar në çmimin botëror të naftës. Edhe disa burime të tjera të informuara kanë vënë në dukje se për shkak të bashkimit të të dy kompanive evropiane dhe Kompanisë Kombëtare të Naftës së Venezuelës, eksporti i naftës së këtij vendi do të bëhet në kuadër të shlyerjes së borxhit dhe pagesës së vonuar të fitimeve të kompanive Eni dhe Respol.

Ndërkohë, një zyrtar tjetër i informuar theksoi se licencimi i këtyre dërgesave të naftës është bërë me kusht që kjo naftë të konsumohet vetëm në Evropë dhe të mos shitet në asnjë treg tjetër.

Muajin e kaluar, qeveria amerikane e Joe Biden lejoi Chevron, kompaninë më të madhe të naftës amerikane që operon ende në Venezuelë, të negociojë me qeverinë e Nicolas Maduro dhe Kompaninë Kombëtare të Naftës së Venezuelës për të ardhmen e investimeve dhe operacioneve të nxjerrjes së naftës në vend.

Qeveria amerikane shpreson se rifillimi i eksporteve të naftës së papërpunuar nga Venezuela do të ndihmojë Evropën të kompensojë varësinë e saj nga Rusia, ndërsa do të reduktojë disa dërgesa të naftës venezueliane në Kinë.