Udhëheqësi kinez paralajmëron kundër "zgjerimit të aleancave ushtarake"
Presidenti i Kinës Xi Jinping përpara samitit BRICS ka paralajmëruar kundër “zgjerimit të aleancave ushtarake”, duke u bërë thirrje vendeve në mbarë botën të kapërcejnë vështirësitë së bashku dhe të kërkojnë bashkëpunim të favorshëm.
Udhëheqësi kinez i bëri komentet të mërkurën gjatë një fjalimi që mbajti në ceremoninë e hapjes së Forumit të Biznesit të grupit BRICS me udhëheqësit kryesorë nga Brazili, Rusia, India dhe Afrika e Jugut. Ai tha se "politika e grupimeve", "konfrontimi në bllok" dhe aleancat ushtarake do të çojnë vetëm në "luftëra dhe konflikte", duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar që të kundërshtojë praktikat hegjemoniste në një kritikë indirekte ndaj aleancës ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA. “Në shekullin e kaluar, njerëzimi ka kaluar nëpër plagën e dy luftërave botërore dhe hijen e errët të Luftës së Ftohtë. Tragjeditë e së shkuarës na tregojnë se hegjemonia, politika në grup dhe konfrontimi në bllok nuk sjellin paqe dhe siguri; ato çojnë vetëm në luftëra dhe konflikte”, tha Xi. Presidenti i Kinës më tej shtoi: “Kriza në Ukrainë është një tjetër thirrje zgjimi për të gjithë në botë. Ajo na kujton se besimi i verbër në të ashtuquajturën "pozicioni i forcës" dhe përpjekjet për të zgjeruar aleancat ushtarake dhe për të kërkuar sigurinë e tyre në kurriz të të tjerëve, do ta vendosin botën në një dilemë sigurie."