Biden nënshkruan ligjin për kontroll të armëve
Presidenti amerikan Joe Biden, e ka shndërruar në ligj një dokument dypartiak për armët, çka përbën reformën më të madhe federale në tri dekadat e fundit, disa ditë pasi Gjykata Supreme ka zgjeruar të drejtat për armët.
“Kjo është ditë madhështore”, ka thënë Biden në Shtëpinë e Bardhë duke shtuar se “ky ligj do të ruajë shumë jetë”. Gjykata Supreme ka deklaruar për herë të parë të enjten se Kushtetuta amerikane mbron të drejtën e një individi për të mbajtur armë në publik për vetëmbrojtje. Vetëm në vitin 2020 kanë vdekur mbi 45,000 amerikanë nga armët, qofshin duke u vrarë apo vetëvrarë. Ky ka qenë viti me shifrën më të lartë të viktimave të tilla, i regjistruar në historinë amerikane. Kontrolli i armëve është kthyer tash e një kohë në çështje që krijon ndasi në Shtetet e Bashkuara, pasi shumë tentime për të kontrolluar shitjen e tyre, kanë dështuar njëra pas tjetrës. Legjislacioni i ri përfshin provizione për t’i ndihmuar shtetet që të mbajnë armët larg duarve të atyre që konsiderohen të rrezikshëm si dhe të bllokojë shitjen e armëve për ata që janë dënuar për abuzime me partnerë të pamartuar. Legjislacioni nuk ndalon shitjet e pushkëve apo karikatorëve me kapacitet të lartë. Për herë të parë, me ligj parashihet që të bëhen kontrolle për të kaluarën e një të mituri para se të blihet një armë, si dhe ky dokument shënjestron blerësit që kanë qenë të dënuar në të kaluarën për dhunë familjare.