Bota dënon vrasjen e ish-kryeministrit japonez
(last modified Fri, 08 Jul 2022 18:22:54 GMT )
Korrik 08, 2022 20:22 Europe/Tirane
  • Bota dënon vrasjen e ish-kryeministrit japonez

Shumë liderë botërorë po solidarizohen pas vdekjes së ish-kryeministrit Shinzo Abe. Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol shprehu ngushëllimet e tij për Japoninë, duke e përshkruar vrasjen e Abe si një “akt krimi të pafalshëm”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se ishte “thellësisht i pikëlluar dhe i habitur”, duke shtuar se Gjermania “do të qëndrojë afër Japonisë në këto orë të vështira”. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se ishte “i shtangur, i indinjuar dhe thellësisht i pikëlluar” nga vdekja e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe. Presidenti rus Vladimir Putin shprehu ngushëllimet e tij në një mesazh për familjen e Abe, duke thënë se një "kriminel i ka marrë jetën një burri të shquar shteti". Kremlini e "dënoi fuqishëm" vrasjen, me zëdhënësin presidencial rus Dmitry Peskov duke thënë: "Abe ishte një patriot që mbronte interesat e Tokios në tryezën e negociatave. Falë kësaj, ai kishte marrëdhënie të mira me Putinin.” Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka shkruar në rrjetet sociale “në emër të popullit francez, i dërgoj ngushëllimet e mia autoriteteve dhe popullit japonez pas vrasjes së Shinzo Abe. Japonia po humbet një kryeministër të madh, i cili ia kushtoi jetën vendit të tij dhe punoi për të sjellë ekuilibër në botë”. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e quajti Abe një “mik të dashur”, duke shtuar se “I dënoj ata që kryen këtë sulm të tmerrshëm”. Kryeministri i Indisë, Narendra Modi tha se ishte “i tronditur dhe i pikëlluar për vdekjen tragjike të një prej miqve të mi më të dashur, Shinzo Abe”. “Udhëheqja e tij globale në kohë të panjohura do të mbahet mend nga shumë njerëz”, pohoi kryeministri britanik, Boris Johnson. Kryeministri australian, Anthony Albanese tha se Abe kishte qenë një “mik dhe aleat i madh i Australisë”. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e quajti Abe “një person të mrekullueshëm”, duke shtuar se “Kjo vrasje brutale dhe frikacake e Shinzo Abe trondit të gjithë botën”.

 

Tags