Lidhjet SHBA-Kinë në drejtim të 'gabuar'
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ka paralajmëruar se marrëdhëniet SHBA-Kinë janë në rrezik për të shkuar më tej në drejtim "të gabuar" për shkak të perceptimit të Uashingtonit për Pekinin.
Wang i bëri komentet të shtunën pas një takimi me Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken në margjinat e mbledhjes së ministrave të jashtëm të G20 në ishullin indonezian Bali. "Shumë njerëz besojnë se Shtetet e Bashkuara po vuajnë nga një simptomë gjithnjë e më serioze e 'kinafobisë'," tha Wang. Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet të anulojnë tarifat shtesë të vendosura ndaj Kinës sa më shpejt që të jetë e mundur, duke shtuar se SHBA duhet të ndërpresin gjithashtu sanksionet e njëanshme ndaj kompanive kineze. Wang vazhdoi duke thënë se pala amerikane duhet të jetë e kujdesshme në fjalët dhe veprat e saj kur bëhet fjalë për Tajvanin kinez. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të dërgojnë asnjë sinjal të gabuar për të ashtuquajturat forcat "pavarësiste" të ishullit të vetëqeverisur. Nga ana e tij, sekretari i DASH, Anthony Blinken tha se mbështetja e Kinës për Rusinë në lidhje me luftën në Ukrainë ndërlikon marrëdhëniet tashmë të tensionuara me SHBA-në. Pas bisedës, ai deklaroi se është e vështirë të jesh “neutral” në një konflikt ku ka një “agresor të qartë”, por se edhe nëse do të ishte e mundur, Kina nuk do të sillej kështu. “Unë nuk besoj se Kina po sillet në një mënyrë neutrale”, tha Blinken.