Biden takon princin e kurorës saudite
Presidenti amerikan Joe Biden është përshëndetur nga princi i kurorës saudit me mbërritjen e tij në Mbretërinë Saudite.
Biden i dha një përshëndetje me grusht princit saudit Mohammed bin Salman. Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti po përpiqet të shmang shtrëngimet e duarve për shkak të coronavirusit. Ai është përballur me kritika për udhëtimin në Arabinë Saudite për shkak të vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi nga agjentët sauditë. Presidenti Biden ndërkaq e ka mbrojtur vizitën e tij, duke thënë se nuk donte të prishte lidhjet.Vendimi i tij për t’u ndalur në Arabinë Saudite si pjesë e turit 4-ditor në Lindjen e Mesme solli kritika të ashpra, me disa analistë, që e quajnë atë një shuplakë në fytyrë për ata që luftojnë për të drejtat e njeriut.Vizita në Arabinë Saudite shihet si një zbrapsje nga premtimi i dy viteve më parë të Presidentit Biden për të vendosur të drejtat e njeriut në qendër të politikës së jashtme amerikane dhe për ta izoluar princin saudit të kurorës nga skena ndërkombëtare. Arabia Saudite ka qenë prej kohësh një aleat i rëndësishëm rajonal i SHBA-së, duke shërbyer si furnizuesi i madh i naftës dhe duke blerë miliarda dollarë armatime amerikane. Megjithatë, lidhjet janë testuar vitet e fundit, me një orientim të SHBA-së drejt Azisë dhe me tërheqjen e forcave dhe aftësive të mbrojtjes ajrore amerikane nga Lindja e Mesme. Marrëdhëniet SHBA-Saudite u përballën me sfidën më serioze me vrasjen e Jamal Khashoggi-t në vitin 2018, një gazetar me bazë në SHBA, i cili shkroi për Washington Post. Princi i kurorës saudite Mohammed bin Salman u akuzua nga agjencitë e inteligjencës amerikane për urdhërimin e vrasjes. Princi i mohoi akuzat dhe prokurorët sauditë fajësuan agjentët “mashtrues” sauditë.