Blair: Dominimit perëndimor po i vjen fundi
(last modified Mon, 18 Jul 2022 06:58:23 GMT )
Korrik 18, 2022 08:58 Europe/Tirane
  • Blair: Dominimit perëndimor po i vjen fundi

Tony Blair ka paralajmëruar se epokës së dominimit politik dhe ekonomik perëndimor po i vjen fundi për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe ngritjes së Kinës si “superfuqia e dytë” në botë.

Ish-kryeministri britanik tha se fuqitë perëndimore duhet të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes për të ruajtur supremacinë e tyre ushtarake, raporton eveningstandard. “Si rezultat i veprimeve të Putinit, ne nuk mund të mbështetemi më tek lidershipi kinez që të sillet në një mënyrë që ne e konsiderojmë racionale”, tha 69-vjeçari. “Mos më keqkuptoni. Nuk po them që Kina do të përpiqet të marrë me forcë Tajvanin në të ardhmen e afërt. Por ne nuk mund ta bazojmë politikën tonë në idenë se ata nuk do ta bëjnë këtë”, deklaroi ish kreu i qeverisë britanike. Blair tha se ndryshimi më i madh gjeopolitik i këtij shekulli do të vijë nga Kina, jo nga Rusia, dhe shtoi se “ne po i afrohemi fundit të dominimit politik dhe ekonomik perëndimor”. Tony Blair njihet për rolin aktiv që ka luajtur në bombardimin dhe pushtimin e Irakut dhe Afganistanit në vitet 2001 dhe 2003. Blair tha gjithashtu se Kina, Rusia, Turqia dhe Irani po dërgojnë burime në botën në zhvillim dhe në të njëjtën kohë po krijojnë marrëdhënie të forta mbrojtëse dhe politike me këto vende. Ai u kërkoi vendeve perëndimore të mos harrojnë rëndësinë e fuqisë së butë. Duket se hegjemonia e perandorive botërore është në fazën e kolapsit dhe bota nuk e pranon më sistemin unipolar, një çështje të cilën edhe autoritetet e vendeve perëndimore e dinë dhe e pranojnë, por ata ende theksojnë në vazhdimësinë e politikave  të tyre të njëanshme.

 

Tags