“Urgjenca e lisë së majmunit” mund të zgjasë me muaj
(last modified Wed, 27 Jul 2022 18:54:25 GMT )
Korrik 27, 2022 20:54 Europe/Tirane
  • “Urgjenca e lisë së majmunit” mund të zgjasë me muaj

Shkencëtarët që këshillojnë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për linë e majmunit thonë se “ka pak mundësi” për të ndaluar përhapjen e saj, me rastet që aktualisht po dyfishohen çdo dy javë, duke ngritur shqetësimin se do të duhen disa muaj që shpërthimi të arrijë kulmin.

OBSH për Evropën ka parashikuar pak më shumë se 27,000 raste të lisë së majmunit në 88 vende deri më 2 gusht, nga 17,800 raste në gati 70 vende – në numërimin e fundit. Bërja e parashikimeve përtej kësaj është komplekse, kanë thënë shkencëtarët në mbarë botën për Reuters, por ka të ngjarë të ketë transmetim të qëndrueshëm për disa muaj dhe ndoshta edhe më gjatë, thanë ata. “Ne duhet të përballemi me këtë”, ka thënë Anne Rimoin, një profesoreshë e epidemiologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos. “Është e qartë se dritarja e mundësisë për ta bërë këtë po mbyllet”, shtoi Rimoin, një anëtar i komitetit të ekspertëve të OBSH-së për linë e majmunit që u mblodh javën e kaluar për të përcaktuar nëse shpërthimi përbënte një emergjencë shëndetësore globale. Shumica e anëtarëve të komitetit votuan kundër masës dhe, në një hap të paprecedentë, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus shpalli gjithsesi një emergjencë. Veprimet që rrjedhin nga ajo deklaratë duhet të jenë urgjente, duke përfshirë rritjen e vaksinimit, testimin, izolimin për të infektuarit dhe gjurmimin e kontakteve, thanë ekspertët globalë të shëndetit.

 

Tags