Blinken zhvillon bisedë telefonike me Lavrov
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken zhvilloi të premten një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe i bëri presion Kremlinit të pranojë ‘propozimin thelbësor’ që Washingtoni ka paraqitur për të siguruar lirimin e dy amerikanëve të arrestuar në Rusi.
Kjo ishte biseda e tyre e parë e tillë që nga nisja e pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt. “Ne patëm një bisedë të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë”, tha Blinken në një konferencë shtypi në Departamentin e Shtetit. “Unë i bëra presion Kremlinit të pranojë propozimin thelbësor që ne bëmë për lirimin e Paul Whelan dhe Brittney Griner”, tha ai. Diskutimi i tyre erdhi pasi një burim i njohur me procedurat tha se Rusia u përpoq të shtonte të dënuarin për vrasje Vadim Krasikov në shkëmbimin e propozuar. Zyrtarët amerikanë nuk e panë seriozisht idenë pasi Krasikov është në paraburgim në Gjermani. Ndërsa nuk u fut në detaje, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë hodhi poshtë ofertën. “Mbajtja peng e dy amerikanëve të arrestuar gabimisht për lirimin e një vrasësi rus në paraburgim të një vendi të tretë nuk është një kundër-ofertë serioze. Është një përpjekje me keqbesim për të shmangur marrëveshjen në tryezë që Rusia duhet të marrë”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson.