'Mosndëshkimi dhe paligjshmëria': Vendet dënojnë vizitën e Pelosit në Tajvan
https://parstoday.ir/sq/news/world-i130562-'mosndëshkimi_dhe_paligjshmëria'_vendet_dënojnë_vizitën_e_pelosit_në_tajvan
Vizita e diskutueshme dy-ditore në Tajvan nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi, ka ngjallur reagime të forta nga shumë vende, të cilët kanë kritikuar qeverinë amerikane për provokimin e Pekinit.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Gusht 03, 2022 16:49 Europe/Tirane
  • 'Mosndëshkimi dhe paligjshmëria': Vendet dënojnë vizitën e Pelosit në Tajvan

Vizita e diskutueshme dy-ditore në Tajvan nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi, ka ngjallur reagime të forta nga shumë vende, të cilët kanë kritikuar qeverinë amerikane për provokimin e Pekinit.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, gjatë vizitës së tij në Mianmar të mërkurën, e cilësoi vizitën e Pelosit një përpjekje të qëllimshme të Uashingtonit për të irrituar Kinën. Diplomati i lartë rus akuzoi Shtetet e Bashkuara se po vepronin pa u ndëshkuar dhe tha se ai beson se vizita e zyrtares amerikane në Tajvan u nxit nga dëshira e Uashingtonit për të dëshmuar "mosndëshkimin dhe paligjshmërinë e tij". “Unë nuk shoh asnjë arsye tjetër për të krijuar një krizë të tillë, duke e ditur shumë mirë se çfarë do të thotë për Republikën Popullore të Kinës”, tha ai. Lavrov e quajti udhëtimin e diskutueshëm, i cili dërgoi valë tronditëse në të gjithë rajonin, një shfaqje të shpërfilljes amerikane për normat ndërkombëtare. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha se Rusia e sheh vizitën si një "provokim", ndërkohë që shprehu mbështetjen e Moskës për parimin "Një Kinë" dhe kundërshtimin ndaj pavarësisë së Tajvanit "në çdo formë". Në reagimin e saj ndaj vizitës së Pelosit, Koreja e Veriut tha se ajo ishte një "ndërhyrje e paturpshme" në punët e brendshme të Kinës. Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut tha se ajo "dënon me forcë" çdo ndërhyrje të jashtme në Tajvan dhe mbështet "qëndrimin e drejtë të qeverisë kineze për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin e vendit dhe integritetin territorial". “Tajvani është pjesë e pandashme e Kinës dhe çështja e Tajvanit ka të bëjë me punët e brendshme të Kinës”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA). Pakistani lëshoi gjithashtu një deklaratë, duke riafirmuar angazhimin e tij ndaj politikës "Një-Kinë" dhe kritikoi vizitën e zyrtares amerikane në Tajvan. Në një deklaratë të mërkurën, zëdhënësi i Zyrës së Jashtme të Pakistanit, Asim Iftikhar shprehu mbështetje të fortë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës. “Pakistani është thellësisht i shqetësuar për situatën në ngushticën e Tajvanit, e cila ka implikime serioze për paqen dhe stabilitetin rajonal.” Pasi Nancy Pelosi u largua nga toka e Tajvanit, ushtria kineze vazhdoi përgatitjet për kryerjen e stërvitjeve ushtarake në shkallë të gjerë që duhet të zhvillohen në gjashtë vendndodhje rreth territorit të Tajvanit. Pasi 21 aeroplanë luftarakë të ushtrisë kineze hynë dje në hapësirën ajrore të Tajvanit, Kina vazhdoi të kryejë aktivitete ushtarake në zonën nën kontrollin e Tajvanit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes së Tajvanit, gjithsej 27 aeroplanë luftarakë të Republikës Popullore të Kinës kanë hyrë të mërkurën në hapësirën ajrore të Tajvanit, përkatësisht gjashtë avionë J-11, pesë avionë J-16 dhe gjashtëmbëdhjetë avionë Su-30. Të mërkurën, Pekini u zotua të "dënojë" ata që "ofendojnë" sovranitetin e Kinës, në një referencë të fshehtë ndaj Uashingtonit që mbrojti vizitën e Pelosit në Tajvan. “Kjo është një farsë e plotë. Shtetet e Bashkuara po shkelin sovranitetin e Kinës nën maskën e të ashtuquajturës ‘demokraci’. Ata që ofendojnë Kinën do të ndëshkohen”, tha ministri i Jashtëm kinez Wang Yi në margjinat e një takimi të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN). “Këto praktika perverse nuk do të ndryshojnë konsensusin ndërkombëtar se ka vetëm një Kinë, e as nuk do të ndryshojnë prirjen historike që Tajvani të kthehet në atdhe”, tha kryediplomati kinez. “Ata që luajnë me zjarrin nuk do të përfundojnë mirë dhe ata që shkelin sovranitetin e Kinës sigurisht që do të penalizohen”, shtoi ai.