Vazhdojnë luftimet e ashpra në Donetsk
https://parstoday.ir/sq/news/world-i130590-vazhdojnë_luftimet_e_ashpra_në_donetsk
Ushtria ukrainase tha të enjten se forcat ruse kishin kryer të paktën dy sulme në zonën Pisky të rajonit të Donbasit, por shtoi se trupat ukrainase kishin arritur t’i zmbrapsnin ato.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Gusht 04, 2022 16:51 Europe/Tirane
  • Vazhdojnë luftimet e ashpra në Donetsk

Ushtria ukrainase tha të enjten se forcat ruse kishin kryer të paktën dy sulme në zonën Pisky të rajonit të Donbasit, por shtoi se trupat ukrainase kishin arritur t’i zmbrapsnin ato.

Ministria ruse e mbrojtjes të enjten konfirmoi se forcat e saj ishin në ofensivë dhe se kishin shkaktuar humbje të mëdha mes forcave ukrainase në provincën Donetsk, duke detyruar tërheqjen e njësive të Kievit. E furnizuar me armë të sofistikuara nga Perëndimi, Ukraina ka vënë në shënjestër forcat e mbështetura nga Rusia në Lindje. Zyrtarët në Republikën e vetëshpallur të Donetskut të mbështetur nga Rusia thanë të enjten se bombardimet ukrainase kishin vrarë të paktën pesë persona dhe plagosur gjashtë në Donetsk. Pavlo Kyrylenko, guvernatori ukrainas i Donetskut, tha në Telegram se tre civilë ishin vrarë nga bombardimet ruse në qytetet Bakhmut, Maryinka dhe Shevchenko dhe pesë u plagosën në 24 orët e fundit. Tetë persona u vranë dhe katër u plagosën nga granatat e artilerisë ruse në qytetin Toretsk në Donetsk, tha ai. Ukraina tha se ofensiva ruse në lindje dukej si një përpjekje për ta detyruar atë të zhvendoste trupat nga jugu, ku forcat e Kievit po përpiqen të rimarrin territorin dhe të shkatërrojnë linjat ruse të furnizimit në përgatitje të një kundërofensive më të gjerë. Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të enjten se lufta në Ukrainë ishte momenti më i rrezikshëm për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se Rusia nuk duhet të lejohet ta fitojë atë. Për të mos lejuar suksesin e Moskës, NATO-s dhe vendeve anëtare të saj mund tu duhet të mbështesin Ukrainën me armë dhe ndihma të tjera për një kohë të gjatë, tha ai.