Vazhdojnë tensionet në ngushticën e Tajvanit
Menjëherë pas largimit të kryedemokrates amerikane Nancy Pelosi, Kina ka lëshuar disa raketa balistike në ujërat rreth brigjeve verilindore dhe jugperëndimore të Tajvanit.
Veprimet e saj kanë ngritur shqetësim të madh në ishullin e vetëqeverisur, që tashmë e ndjen vetën të rrezikuar nga një sulm i mundshëm, por Kina i justifikon veprimet e saj thjesht si pjesë e stërvitjeve ushtarake . Stërvitjet me zjarr të drejtpërdrejtë në Kinë filluan në orën 12:00 me kohën lokale (dhe do të përfundojnë të dielën, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se kishte aktivizuar sistemet përkatëse të mbrojtjes në çdo rast. Në mes të frikës se ndoshta Kina mund të lëshojë një raketë në ishull, Marina amerikane po dërgon një aeroplanmbajtëse drejt Tajvanit, në atë që thotë se janë “operacione normale dhe të planifikuara” në Detin Filipine. Kina, që e konsideron Tajvanin si një provincë të saj, e dënoi vizitën e Pelosit, duke thënë se rrezikoi seriozisht paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit. Të mërkurën mbrëma, vetëm disa orë pasi Pelosi u nis për në Korenë e Jugut, aeroplanë të paidentifikuar, ndoshta dronë, fluturuan mbi zonën e ishujve periferikë Kinmen të Tajvanit pranë bregut kontinental, tha ministria e mbrojtjes e Tajvanit. Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, e quajti vizitën e Pelosit në Tajvan një akt “të papërgjegjshëm dhe irracional” nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, Japonia ka reaguar pasi pesë raketa balistike të lëshuara nga Kina, kanë rënë në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë (EEZ). Ministri japonez i mbrojtjes Nobuo Kishi pretendoi se ishte hera e parë që kishte ndodhur një incident i tillë dhe Japonia kishte paraqitur një “protestë” përmes rrugëve diplomatike. Një zonë ekonomike ekskluzive është një zonë e detit në të cilën një shtet bregdetar pretendon të drejtat sovrane për të kryer aktivitete ekonomike, të tilla si eksplorimi i burimeve natyrore, kërkimi shkencor detar ose mbrojtja e mjedisit. Më herët sot, Tajvani tha se Kina kishte lëshuar 11 raketa balistike Dongfeng në ujërat pranë brigjeve veriore, jugore dhe lindore të Tajvanit.