Putin paralajmëron për katastrofë në shkallë të gjerë në Zaporizhzhia
Presidenti rus Vladimir Putin ka ngritur alarmin për pasojat e "granatimeve sistematike" të Ukrainës ndaj termocentralit bërthamor Zaporizhzhia të kontrolluar nga Moska.
Ai tha se sulmet ka të ngjarë të krijojnë një katastrofë në shkallë të gjerë. Në një bisedë telefonike me homologun e tij francez Emmanuel Macron të premten, Putin "theksoi se granatimet sistematike nga ushtria ukrainase në territorin e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia krijon rrezikun e një katastrofe në shkallë të gjerë që mund të çojë në kontaminim nga rrezatimi i territoreve të gjera.” Kremlini tha se Putin dhe Macron nënvizuan rëndësinë e inspektimeve të pavarura në Zaporizhzhia, duke u bërë thirrje ekspertëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA) që të inspektojnë centralin "sa më shpejt të jetë e mundur" dhe "të vlerësojnë situatën reale në terren". "Pala ruse konfirmoi gatishmërinë e saj për t'u ofruar inspektorëve të Agjencisë ndihmën e nevojshme," tha Kremlini. Ndërkohë, presidenca franceze tha në një deklaratë se Macron "mbështeti dërgimin e një misioni ekspertësh nga ANEA në lokacion sipas kushteve të dakorduara nga Ukraina dhe Kombet e Bashkuara". Sipas Elysee, liderët rusë dhe francezë planifikojnë të bisedojnë përsëri në ditët në vijim për këtë temë pas bisedimeve midis ekipeve teknike dhe para vendosjes së misionit të ANEA në Zaporizhzhia.