Gjermania dhe Franca kundërshtojnë ndalimin e vizave për rusët
Blloku europian duket i përçarë përballë propozimit të disa vendeve anëtare për t`u ndaluar rusëve vizat turistike për shkak të luftës në Ukrainë.
Pengesë kryesore për vënien në jetë të kësaj ideje, po bëhet Franca dhe Gjermania. Dy vendet publikuan një deklaratë të përbashkët ku pretendojnë se çështja e kufizimit të vizave për rusët do të ishte kundërproduktive, pikërisht në kohën kur BE-ja “po tenton të fitojë “zemrat dhe mendjet” e rusëve që nuk e mbështesin agresionin e paprovokuar të Moskës ndaj Ukrainës. Që ndalimi i vizave për rusët të bëhet realitet, nevojitet një vendim unanim i të 27 shteteve anëtare, i cili ta shndërrojë këtë në sanksion të ri kundër Moskës për shkak të agresionit të saj ndaj vendit fqinj. Shtetet që ndajnë kufirin me Rusinë, shtetet e Baltikut, Polonia dhe Finlanda janë nismëtare për vendosjen e kufizimeve sa i përket lëshimit të vizave turistike për rusët. Brukseli ka vendosur ndalesa në fluturimet nga Rusia, e për këtë arsye, shumica e udhëtarëve përdorin kufijtë tokësorë për të lëvizur drejt vendeve të bllokut europian. Kremlini reagoi duke kritikuar thirrjet e disa udhëheqësve evropianë për ndalimin e vizave për turistët rusë, duke thënë se propozimet ishin “jorracionale” dhe manifestimi i fundit i agjendës anti-ruse të Perëndimit.