Rusia: Stërvitja “Vostok-2022” nuk drejtohet kundër asnjë vendi
Njëkohësisht me fillimin e stërvitjes së madhe ruse në lindje të këtij vendi, zëvendësministri i Mbrojtjes i Rusisë tha se kjo stërvitje nuk drejtohet kundër asnjë shteti.
Sipas agjencisë së lajmeve Fars, Alexander Fomin, zëvendësministri i Mbrojtjes i Rusisë, tha se stërvitja “Vostok-2022” në zonën ushtarake në lindje të Rusisë nuk drejtohet kundër ndonjë vendi apo aleance të caktuar ushtarake. Presidenti rus Vladimir Putin do të vëzhgojë një pjesë të kësaj stërvitje gjatë vizitës së tij në Vladivostok të martën. Këto stërvitje kanë nisur të enjten e kaluar dhe do të vazhdojnë deri të mërkurën e kësaj jave. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi të shtunën se si pjesë e stërvitjes Vostok-2022, ushtria ruse ka kryer stërvitje në dy nga katër ishujt e pretenduar nga Japonia në veriperëndim të Oqeanit Paqësor. E shtuna është dita kur Rusia feston fitoren e ish-Bashkimit Sovjetik ndaj Japonisë në Luftën e Dytë Botërore. Këta katër ishuj, të quajtur "Tokat e Veriut" në Japoni dhe "Kuril" në Rusi, iu morën Japonisë nga Bashkimi Sovjetik në fund të luftës së dytë botërore. Në stërvitjen Vostok-2022marrin pjesë qindra pajisje ushtarake, 140 avionë luftarakë dhe 60 luftanije dhe shtrirja gjeografike e Vostok 2022, e cila fillimisht ishte planifikuar të mbahej në 13 rajone, është reduktuar në 7 rajone. Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, stërvitja e madhe ushtarake do të mbikëqyret nga Valery Gerasimov, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Ruse. Numri i saktë i forcave ruse në këtë stërvitje nuk është bërë i ditur për arsye sigurie. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se në këtë stërvitje janë të pranishme ushtritë e Republikës së Azerbajxhanit, Algjerisë, Armenisë, Bjellorusisë, Indisë, Kazakistanit, Kirgizistanit, Kinës, Laosit, Nikaraguas, Sirisë dhe Taxhikistanit.