Mbretëresha Elizabeta II do të varroset më 19 shtator
Ceremonia e funeralit të Mbretëreshës Elizabeta II do të zhvillohet më 19 shtator në orën 11:00 në Londër, ka njoftuar Pallati Buckingham.
Kjo ditë është shpallur ditë pushimi në gjithë Mbretërinë e Bashkuar nga Mbreti Charles III, i cili të shtunën e ka marrë zyrtarisht detyrën. Trupi i pajetë i mbretëreshës do të dërgohet nga Kështjella Balmoral në Edinburg këtë të dielë, përpara se të dërgohet të martën në Londër. Gazeta britanike Economic Times në një raport të saj njoftoi: Përveç faktit që funerali i Mbretëreshës do të kushtojë miliarda paund, efektet e vdekjes së saj në të gjithë sistemin financiar britanik do të jenë të mëdha. Sipas kësaj medie, gjatë periudhës së zisë publike , një pjesë e madhe e bizneseve do të mbyllen. Ndërkohë që Britania po vuan nga kriza ekonomike, mediat e këtij vendi por edhe të botës nuk po kritikojnë kostot e mëdha të kësaj ceremonie mesjetare. Mbretëresha e Britanisë së Madhe vdiq më 8 shtator, në moshën 96-vjeçare. Ajo ka mbajtur fronin në Mbretëri të Bashkuar për plot 70 vite, duke u bërë kështu monarkja më jetëgjatë në këtë shtet. Ceremonia e mbajtur dje në Pallatin Saint James në Londër, i dha zyrtarisht titullin Mbret, Charles III.