Shtator 12, 2022 07:45 Europe/Tirane
  • Shtohen zërat për ndarjen e Australisë nga Britania

Me vdekjen e mbretëreshës Elizabeth II, në arenën politike të Australisë është ngritur sërish çështja e pavarësisë nga Britania.

Prej kohësh në Australi po debatohet nëse ky vend ka fituar pavarësinë nga monarkia britanike apo është ende nën hijen e saj si territor. Në vitin 1999, në Australi u mbajt një referendum për t'u bërë një republikë e pavarur nga Britania e Madhe, por në atë referendum 55% e njerëzve e kundërshtuan këtë ide. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Adam Bunt, një politikan i shquar republikan australian dhe lider i partisë së "Të Gjelbërve" në këtë vend, pas vdekjes së Elizabeth II, tha: "Ne nderojmë kujtimin e saj dhe të gjithë atyre që e donin atë, por tani Australia duhet të ecë përpara". Adam Bunt në një postim në Twitter shkroi: "Ne duhet të bëjmë një traktat me popujt e parë autoktonë (australianët indigjenë) dhe duhet të bëhemi një republikë". Gjithashtu, organizata pro pavarësisë "Lëvizja Republikane Australiane" duke shprehur ngushëllimet e saj për vdekjen e Mbretëreshës së Anglisë, njoftoi se gjatë referendumit të vitit 1999 Mbretëresha kishte mbështetur dhe konfirmuar të drejtën e Australisë për t'u bërë një vend plotësisht i pavarur dhe kishte deklaruar se “i takon popullit australian dhe vetëm atij që të vendosë për këtë çështje". Por Anthony Albanese, Kryeministri i Australisë, i cili më parë foli në mbështetje të planit për pavarësinë e Australisë, kundërshtoi të premten ngritjen e kësaj çështjeje në këtë fazë. Në mesin e vendeve "territore" të monarkisë britanike në Karaibe, janë ngritur diskutime të ngjashme dhe së fundmi Xhamajka njoftoi se mund të vijë së shpejti pas Barbados, i cili fitoi pavarësinë nga Britania vitin e kaluar. Mbretëresha ose Mbreti i Anglisë është sundimtari i Anglisë dhe 15 vendeve të tjera duke përfshirë Australinë, Zelandën e Re dhe Kanadanë.

 

Tags