Ukraina vazhdon ofensivën në Kharkiv, rusët tëhiqen
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ukrainase tha në një deklaratë se po vijon çlirimi i territoreve të pushtuara nga rusët në rajonet Kharkiv dhe Donetsk.
Në deklaratë thuhet se forcat ruse u zhvendosën nga më shumë se 20 vendbanime vetëm gjatë ditës së djeshme. Javën e kaluar forcat ukrainase rimorën më shumë se 3,000 kilometra katrorë territor. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës pretendoi se “Komanda ushtarake e Federatës Ruse ka pezulluar dërgimin e njësive të reja, që tashmë janë formuar brenda territorit të Ukrainës”. Po ashtu, gjatë fundjavës, rusët u tërhoqën edhe nga zonat kufitare që ishin pushtuar që nga marsi. Pas fitoreve të ushtrisë ukrainase, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se forcat e saj janë tërhequr për t'u riorganizuar. Gjatë ditëve të fundit, forcat ukrainase kanë arritur fitore të shpejta dhe të papritura në një kundërsulm në lindje të Kharkivit dhe kanë arritur të kontrollojnë pika kyçe strategjike. Janë sulmuar qytete të tilla si Balaklia, Kopyansk dhe Izium, të cilat janë jetike për furnizimin dhe logjistikën e forcave ruse të stacionuara në lindje të Ukrainës. Në anën tjetër në jug dhe lindje të Ukrainës po vazhdojnë luftimet e ashpra mes dy palëve, kurse së fundmi Vladimir Putin ka shkarkuar komandantin e ushtrisë ruse që është përgjegjës për luftimet në Ukrainë. Kjo ka bërë që të rriten dyshimet se Putin nuk është i kënaqur me punën e zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë.