Orban i kërkon BE-së të heqë sanksionet ndaj Rusisë
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, gjatë një takimi të partisë së tij, Fideusz, tha se duhet të hiqen sanksionet që Bashkimi Evropian ka vendosur kundër Rusisë.
Kryeministri hungarez i krahut të djathtë këto komente i ka bërë gjatë mbledhjes partiake që u mbajt më 21 shtator. Orban, lideri i vetëm i BE-së që mban raporte të mira me presidentin rus, Vladimir Putin, është një kritik i ashpër i sanksioneve që blloku evropian ka vendosur kundër Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës. Orban ka deklaruar se sanksionet e BE-së kanë rritur çmimet e gazit dhe inflacionin dhe po ashtu ka pretenduar se nëse sanksionet hiqen, çmimet e gazit do të binin menjëherë për 50 për qind dhe po ashtu do të binte edhe niveli i inflacionit. Orban ka thënë se pa sanksione, Evropa do të ishte në gjendje të shmangte recesionin, teksa ka përsëritur qëndrimin e tij se sanksionet po e dëmtojnë më shumë Evropën, sesa Rusinë. Në korrik, Orban tha se Evropa “ka qëlluar veten” duke vendosur sanksionet kundër Rusisë, që sipas tij, nëse nuk hiqen, do të shkatërrojnë ekonominë evropiane. Më 18 shtator, Komisioni Evropian propozoi që Hungarisë t’i ndaleshin 7.5 miliardë euro fonde për shkak të mospajtimeve midis bllokut dhe Budapestit rreth luftës kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit.