Blinken paralajmëron Kinën të mos e përkrahë Rusinë
Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken dhe ministri i jashtëm kinez Wang Yi janë takuar të premten në Nju Jork.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi zhvilluan bisedime në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila po mbahet aktualisht në Nju Jork. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi që Pekini të mos japë ndonjë mbështetje për Rusinë në lidhje me konfliktin e saj me Ukrainën, sipas Departamentit të Shtetit. Kina mban lidhje të ngushta me Rusinë. Të dy vendet përballen me të njëjtin armik. Përgjigja e secilit prej tyre ndaj një sërë sfidash të ndryshme dëshmon se pikërisht tani, aleanca e tyre është e hekurt. Blinken "përsëriti dënimin e Shteteve të Bashkuara për luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe theksoi pasojat nëse Republika Popullore e Kinës do të ofronte mbështetje për pushtimin nga Moska të një shteti sovran", tha në deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price. Një deklaratë e Departamentit të Shtetit të SHBA tha se takimi është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Uashingtonit për të “ruajtur linja të hapura komunikimi dhe për të menaxhuar konkurrencën me përgjegjësi”. Tensionet midis dy shteteve u ngritën në mënyrë të skajshme pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në Tajvan muajin e kaluar dhe premtimit të qartë të Presidentit Joe Biden për të mbrojtur ishullin që vetëqeveriset, të cilin Kina e pretendon si territorin e saj. Në fillim të kësaj jave, Joe Biden tha se forcat amerikane do të mbrojnë Tajvanin në rast të një pushtimi kinez, gjë që zemëroi Pekinin. Kina u përgjigj duke thënë se Uashingtoni nuk duhet të dërgojë “sinjale të këqija” në lidhje me “pavarësinë” e Tajvanit. Këtë javë, Wang u takua gjithashtu me ish-sekretarin e shtetit Henry Kissinger – njeriun i njohur si arkitekti i marrëdhënieve SHBA-Kinë. Ministri i Jashtëm i Kinës tha në takim se “ribashkimi paqësor” me Tajvanin ishte aspirata e Pekinit. Por ai shtoi se mundësia e një zgjidhjeje paqësore është pakësuar nga një ndjenjë gjithnjë e më “endemike” tajvaneze për pavarësi.