Shtator 25, 2022 19:29 Europe/Tirane
  • Falimentojnë qindra kompani në Gjermani

Rritja e çmimeve të energjisë çoi disa qindra kompani në falimentim në Gjermani në muajin gusht, raportoi instituti ekonomik IWH, ndërsa bankat presin një sasi dukshëm më të lartë të kredive me probleme në vitin e ardhshëm.

Në gusht, 718 kompani deklaruan falimentim, 25% më shumë se vitin e kaluar dhe instituti vlerëson se e njëjta normë do të ndodhë edhe në shtator. Në tetor niveli i falimentimeve mund të rritet në 33 për qind, nëse krahasojmë numrin e falimentimeve me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vlerëson instituti IWH. Shoqata gjermane e biznesit BDI paralajmëroi për një “recesion të madh”. Në një anketë të kryer mes 593 kompanive, më shumë se një e treta e tyre deklaruan se rrezikohen nga falimentimi për shkak të çmimeve të larta të energjisë. Në shkurt, kur filloi lufta në Ukrainë, një vlerësim të tillë e bënë 23 për qind e tyre. Grupi i industrisë VKU shprehu gjithashtu shqetësimin, duke paralajmëruar se kompanitë lokale të shërbimeve janë në rrezik të falimentimit për shkak të çmimeve të larta të energjisë dhe problemeve të mundshme të pagesës së klientëve. Një sondazh i institucioneve kryesore të kreditit në gusht tregoi se kreditë me probleme në Gjermani do të rriten në 37.6 miliardë euro vitin e ardhshëm, nga 31.9 miliardë këtë vit.

 

Tags