Nuk reshtin protestat dhe grevat në Francë
Dhjetëra mijëra vetë protestuan në Francë kundër kostos së lartë të jetesës dhe indiferencës së qeverisë.
Tubuesit mbushën sheshin Place de la Nation në verilindje të Parisit, duke mbajtur në duar tabela ku shkruhej "Stop evazionit fiskal" dhe "Unë dua një rritje page 52% si CEO i Total". Në këtë pikë, analistë të shumtë mendojnë se shpërthimi i zemëratës popullore, mund të jetë fillimi i diçkaje shumë më të madhe dhe më të gjerë. Rreth 140,000 njerëz morën pjesë në një protestë në Paris kundër rritjes së kostove të jetesës dhe mosveprimit të qeverisë ndaj vështirësive financiare të popullatës. Marshimi sfidues në Paris vjen tre javë pas nisjes së një greve në rafineritë e naftës që ka shkaktuar mungesa të theksuara karburantesh në të gjithë Francën. Në disa zona raportohet se makinat kanë mbetur pa naftë dhe autoritetet ndalojnë shitjen e karburantit me bidona. Shfaqja e zemërimit vjen pas rritjes së çmimeve dhe kërkon të vërë nën presion qeverinë e Macron për të vepruar kundër rritjes së çmimeve, rritjes së kostove të energjisë, dhe për të taksuar korporatat e mëdha. Disa protestues mbanin jelekët e verdhë floreshent që u bënë simbol i protestave të mëdha të vitit 2018.Një grevë e mjeteve të transportit e pritur të martën mund të shkaktojë të tjera trazira. “Shpresojmë të kemi një javë nga ato që nuk kemi parë shpesh,” tha një nga organizatorët e protestës. Kjo lëvizje vjen pas javësh grevash në shumicën e rafinerive franceze, të cilat çuan në çmime më të larta të karburantit dhe mungesa. Punonjësit kërkojnë paga më të larta dhe kushte më të mira pune. Qeveria tani ka frikë se ky marshim, si dhe dita tjetër e grevës, mund të jetë fillimi i një lëvizjeje proteste njëmujore, veçanërisht pasi ekipi i Presidentit Emmanuel Macron po punon për një reformë pensionesh, për ta rritur moshën e pensionit nga 62 në 65 vjeç.