Kriza energjetike në Gjermani arriti tek marketet zinxhir
Kriza energjetike në Gjermani ka shkaktuar probleme të shumta për industritë dhe marketet zinxhir të këtij vendi, saqë disa dyqane të mëdha gjermane u është dashur të mbyllen më herët se zakonisht.
Gjermania, si ekonomia më e madhe e Bashkimit Evropian, aktualisht po lufton me një krizë energjetike. Sipas IRNA, me rritjen e krizës së mungesës së energjisë në Gjermani, zyrtarët e Aldi Nord, një prej shitësve më të mëdhenj në vend, njoftuan në Twitter se nga nëntori 2022, të gjitha degët e saj do të mbyllen në orët e para të natës. Sipas statistikave të disponueshme, përveç marketeve Aldi Nord, me problemin e mungesës së energjisë elektrike janë përballur edhe rrjeti i dyqaneve të elektronikës Saturn dhe dyqanet e grupit Galeria në Gjermani. Vendosja e sanksioneve nga vendet evropiane ndaj Rusisë dhe mungesa e karburantit në shumicën e vendeve evropiane kanë shkaktuar mbylljen e shumë industrive në këto vende, veçanërisht në Gjermani. Pronarët e shumicës së industrive gjermane njoftuan se muajt e fundit po përballeshin me mungesë të energjisë elektrike dhe gazit, gjë që mund të shkaktojë dëme të pariparueshme në të ardhmen.