Tetor 28, 2022 20:10 Europe/Tirane
  • Sulmohet shtëpia e Nancy Pelosi-t

Mediat amerikane raportuan për një sulm ndaj shtëpisë së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, Nancy Pelosi.

Një person, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur hyri në mjediset e brendshme të banesës dhe ushtroi dhunë ndaj bashkëshortit të politikanes së njohur demokrate, Paul Pelosi. Ngjarja e rëndë ndodhi sot në San Francisco, por ligjvënësja nuk gjendej aty. Sa i përket gjendjes shëndetësore të Paul Pelosi-t, bëhet e ditur se nuk paraqitet serioze. Ai u dërgua në spital ku siç njoftohet, “po merr trajtimin e duhur spitalor”. Një zëdhënës i saj konfirmoi se agresori u ndalua nga forcat e rendit dhe lidhur me motivet nisi një hetim. Në vijim priten më shumë detaje. Gjithçka ndodh teksa në Amerikë filluan përpjekjet për të mbjellë dyshime mbi rezultatin e zgjedhjeve të 8 nëntorit për Kongresin. Mbi 100 padi janë ngritur, kryesisht nga republikanët. Në shënjestër kanë rregullat mbi votimin me postë, pajisjet e votimit, regjistrimin e votuesve, numërimin e votave me postë të shënuara gabim. Kjo paralajmëron rrezikun e mospranimit të rezultateve.

 

Tags