Ende i paqartë rezultati i zgjedhjeve afatmesme për Kongresin
(last modified Wed, 09 Nov 2022 18:51:54 GMT )
Nëntor 09, 2022 19:51 Europe/Tirane
  • Ende i paqartë rezultati i zgjedhjeve afatmesme për Kongresin

Pas zgjedhjeve të së martës në Shtetet e Bashkuara ende nuk dihet se kush do të ketë kontrollin e Kongresit amerikan, duke lënë të paqartë nëse republikanët do të marrin kontrollin nga demokratët e presidentit Joe Biden.

Kongresi amerikan përbëhet nga dy institucione: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati amerikan. Sipas Associated Press, në Dhomën e Përfaqësuesve më së shumti ulëse kanë fituar republikanët, gjithsej 190, kundrejt demokratëve që kanë marrë 154. Por, gara për Senatin amerikan është më e ashpër, pasi ajo mbetet ende e hapur në disa shtete kyçe. Demokrati John Fetterman ka shpallur fitoren në Pensilvani dhe nëse ai shpallet fitues në këtë shtet do të ishte një fitore e rëndësishme për demokratët në Senat. Sipas AP-së, me fitoren e Fettermanit, demokratët deri më tani kanë fituar 48 ulëse në Senat, kundrejt republikanëve që kanë një ulëse më pak. Ndërkaq, sa i përket ulëseve në Senat, garat në Arizona, Xhorxhia dhe Nevada po konsiderohen se ende janë të hapura. Gara në Xhorxhia mund të shkojë në balotazh, që do të mbahej më 6 dhjetor, dhe ky shtet mund të jetë kyç për të përcaktuar balancën në Senat. Sondazhet para zgjedhjeve kanë treguar se ka pasur një rënie të vlerësimit për punën e Bidenit dhe votuesit kanë qenë të zemëruar për shkak të nivelit të inflacionit. Megjithatë, republikanët, sikurse senatori Lindsey Graham, presin që të fitojnë shumicën në Senat. Nëse dy partitë, ajo demokrate dhe republikane do të kenë numrin e njëjtë të ulëseve në Senat, atëherë demokratët do të marrin shumicën, për shkak të ulëses së nënpresidentes amerikane, Kamala Harris. Inflacioni i lartë dhe të drejtat e abortit ishin ndër shqetësimet kryesore të votuesve, dhe sipas sondazheve, një në tre votues ka zgjedhur njërën prej këtyre dy temave si shqetësime kryesore. Krimi, që ka qenë në fokusin e republikanëve gjatë javëve të fundit të fushatës, po ashtu ka qenë një prej çështjeve kryesore të përmendura nga një në dhjetë votues. Në SHBA, inflacioni vjetor është 8.2 për qind, që është niveli më i lartë i shënuar në 40 vjet. Këto shifra kanë paraqitur pengesë për demokratët gjatë fushatës së tyre. Një sondazh i realizuar nga Reuters/Ipsos gjatë kësaj jave gjeti se vetëm 39 për qind e amerikanëve pajtoheshin me mënyrën se si ka punuar Biden.

 

Tags