Gjashtë të vdekur nga aksidenti i dy avionëve në Dallas
Të paktën gjashtë persona humbën jetën kur dy avionë u përplasën gjatë shfaqjes ajrore të Luftës së Dytë Botërore në Dallas, SHBA.
Sipas agjencisë së lajmeve Mehr, dy avionë ushtarakë u përplasën dhe u rrëzuan të shtunën gjatë një shfaqjeje ajrore në Dallas. Këta avionë ishin avionë amerikanë të Luftës së Dytë Botërore të cilët pas aksidentit u shkatërruan plotësisht. Administrata Federale e Aviacionit Amerikan gjithashtu në një deklaratë njoftoi se një Boeing B-17 Flying Fortress dhe një P-63 Kingcobra u përplasën dhe u rrëzuan. Përplasja ndodhi mbi Dallas gjatë Paradës Përkujtimore të Forcave Ajrore. B-17, një bombardues masiv me katër motorë, ishte gur themeli i fuqisë ajrore të SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore. King Cobra ishte një avion luftarak amerikan që u përdor kryesisht nga këto forca gjatë luftës. Sipas Boeing, shumica e B-17 u shkatërruan në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe sot kanë mbetur vetëm një pjesë e vogël e tyre, kryesisht të ekspozuara në muze dhe ekspozita ajrore. Përmasat dhe shkaqet e këtij aksidenti janë duke u hetuar nga policia lokale dhe Shërbimi Federal i Aviacionit, ndërsa në raportet fillestare nuk përmendet arsyeja për përplasjen e dy avionëve.