Kroacia në çerekfinale pas penalltive
Kroacia është kualifikuar në çerekfinale të Kampionatit Botëror, ‘Katar 2022’, pas fitores ndaj Japonisë pas ekzekutimit të penalltive, meqë koha e rregullt dhe vazhdimet kishin përfunduar baras (1-1).
Porsa filloi ndeshja, një harkim preciz shkoi në drejtim të Shogo Taniguchi, i cili goditi me kokë, mirëpo topi shkoi jashtë. I shpejtë ishte reagimi i ekipit kundërshtar përmes Ivan Perisic, por Shuichi Gonda e mbrojti goditjen. Daichi Kamada e kaloi mbrojtjen me lehtësi dhe doli në pozitë të mirë shënimi, mirëpo goditja e tij shkoi mbi portë. Nuk vonoi dhe japonezët e zhbllokuan rezultatin. Daizen Maeda reagoi më së miri në zonë pasi prano një top nga Maya Yoshida për ta shënuar golin e epërsisë (43’). Në fraksionin e dytë, pas një rasti të Bruno Petkovic, erdhi edhe goli barazimit. Një harkim të mirë nga Dejan Lovren e shfrytëzoi për mrekulli Ivan Perisic duke realizuar gol të bukur me kokë (55’). Në vazhdim, Dominik Livakovic mbrojti goditjen e Wataru Endo, derisa në anën tjetër rrezikoi Luka Modric. Koha e rregullt përfundoi me rezultat të barabartë (1-1), ashtu që ndeshja shkoi në vazhdime për ta vendosur fituesin. Kaoru Mitoma pati rastin më të mirë në gjysmën e parë të vazhdimeve, ndërsa Livakovic e eliminoi rrezikun dhe nuk pati gola në këtë fraksion. Një mundësi të mirë në fund të vazhdimit të dytë e pati Lovro Majer, por topi shkoi jashtë dhe meqë rezultati ishte i barabartë, vendosën penalltitë. Pas ekzekutimit të njëmbëdhjetëmetërshave më të saktë ishin futbollistët e Kroacisë, të cilët kualifikuan në çerekfinale, ku do të luajnë kundër fituesit të duelit ndërmjet Brazilit dhe Koresë së Jugut.