Dhjetor 08, 2022 06:28 Europe/Tirane
  • Pas protestave Kina lehtëson masat anti-covid

Kina hoqi rregullin për izolimin e personave me Covid 19 dhe detyrimin për të treguar testin anti-covid në disa zona publike duke ndryshuar në këtë mënyrë rrënjësisht strategjinë e saj që mbylli miliona njerëz në shtëpi dhe ndezi protesta për dorëheqjen e Presidentit Xi Jinping.

Megjithatë ekspertët paralajmërojnë se kufizimet nuk mund të hiqen plotësisht deri të paktën në mes të vitit 2023 pasi miliona të moshuar duhet të vaksinohen dhe sistemi i kujdesit shëndetësor duhet të forcohet. Kina është vendi i fundit i madh, që ende përpiqet të zhdukë transmetimin e virusit, ndërsa shumë vende po përpiqen të bashkëjetojnë me të. Paralelisht me zbutjen e kufizimeve zyrtarët kinezë po e cilësojnë virusin si më pak kërcënues, një përpjekje kjo për t’i përgatitur edhe banorët e Kinës se do t’u duhet të jetojnë bashkë me virusin. Për herë të parë, njerëzit me simptoma të lehta lejohen të izolohen në shtëpi, njoftoi Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë, në vend që të shkojnë në qendra karantine të mbipopulluara apo johigjenike. Kjo formë karantinimi shkaktoi acarim të madh te banorët e Kinës dhe ndikoi në nxitjen e protestave që shpërthyen më 25 nëntor në Shangai dhe qytete të tjera. Institucionet publike me përjashtim të shkollave, spitaleve dhe shtëpitë e kujdesit, nuk do t’u kërkojnë më vizitorëve të kenë një “kod shëndetësor” në aplikacionin e telefonave inteligjentë që gjurmon testet e virusit. Në deklaratën e lëshuar nga autoritetet thuhej se zyrtarët lokalë duhet “të marrin masa të rrepta dhe të hollësishme për të mbrojtur jetën, sigurinë dhe shëndetin e njerëzve”, por në të njëjtën kohë të “minimizojnë ndikimin e epidemisë në zhvillimin ekonomik dhe social”.

 

Tags