Modriç apo Messi, cili do ta prekë finalen e Botërorit
Kampionati i 22-të botëror i futbollit ka hyrë në fazën përfundimtare. Deri në fund kanë mbetur edhe katër ndeshje. Sonte luhet gjysmëfinalja e parë, ajo ndërmjet Kroacisë dhe Argjentinës, që zhvillohet në orën 20:00, në stadiumin ‘Lusail Iconic’.
Opinioni i futbollit do t'i përqendrojë sytë te liderët e dy kombëtareve, veteranët Luka Modriç dhe Lionel Messi.
Kroatët e Modriç do të tentojnë të përsërisin rezultatin e Botërorit të fundit në Rusi, kur luajtën në finale. Katër vite më parë, në fazën e grupeve, ata mundën argjentinasit 3:0.
Nga ana tjetër, Messi është në misionin e tij jetësor për të fituar Botërorin e tij të parë dhe për t'u pensionuar nga kombëtarja.
Fituesi i kësaj ndeshje në finale do të luajë me fituesin e duelit mes kampionit aktual Francës dhe sensacionit të turneut Marokut.
Kroacia dhe Argjentina kanë luajtur pesë herë deri më tani. Duelin e parë e kishin në vitin 1994 në një ndeshje miqësore që përfundoi pa gola. Më pas, në Kupën e Botës në Francë në vitin 1998, Argjentina fitoi falë një goli të Maurizio Pineda.
Pasuan dy ndeshje miqësore – në vitin 2006, në debutimin e Luka Modriç, Kroacia fitoi 3:2. Tetë vjet më vonë në Angli, Argjentina arriti një tjetër fitore 2:1. Takimi i fundit ishte në Kupën e Botës në Rusi. Kroacia fitoi 3:0 në fazën e grupeve me golat e Rebic, Modric dhe Rakitic.