Amerika nuk gjen qetësi nga armët e zjarrit
Pas të shtënave më të fundit në SHBA, dy nxënës u vranë në një shkollë në Des Moines, në shtetin e Ajovas, ndërsa një mësues është në gjendje të rëndë për shkak të plagëve të marra.
Policia arrestoi tre persona të dyshuar se kishin hapur zjarr në “Starts Right Here”, një institut që ndihmon të rinjtë që jetojnë në kushte të pafavorshme, shkruajnë mediat amerikane. Sipas policisë së Des Moines, vrasjet ishin të planifikuara. Hetimet janë duke vazhduar dhe policia ka arrestuar tre persona të dyshuar në një makinë jo shumë larg shkollës. Ndërkohë, një person ka humbur jetën dhe 7 janë plagosur në një tjetër incident me armë zjarri. Mediat amerikane njoftuan se një person mbeti i vrarë dhe 7 u plagosën pas të shtënave që janë të tretat në ditët e fundit në shtetin e Kalifornisë. Incidenti ka ndodhur në bllokun 5900 të bulevardit Macarthur në shtetin e Kalifornisë. Ky është sulmi i tretë me armë në Kaliforni brenda tetë ditësh. Katër persona u vranë dhe një u plagos rëndë ditën e hënë në një sulm me armë zjarri në një fermë në qytetin Half Moon Bay pranë San Franciscos, ndërsa tre të tjerë u gjetën të vdekur në një biznes pak kilometra larg. Ky incident vjen dy ditë pasi një sulmues i armatosur vrau 11 persona në një klub vallëzimi në afërsi të Los Anxhelosit, ku po festohej viti i ri kinez. Banorët shprehen të tronditur nga një valë e përgjakshme në përgjithësi në Shtetet e Bashkuara.