NATO e shqetësuar për aktivitetet bërthamore të Rusisë
(last modified Fri, 03 Feb 2023 18:44:10 GMT )
Shkurt 03, 2023 19:44 Europe/Tirane
  • NATO e shqetësuar për aktivitetet bërthamore të Rusisë

NATO i bëri thirrje Rusisë që të përmbushë detyrimet e saj në baze të Traktatit për reduktime të programeve bërthamore të quajtur START.

“Ne shohim me shqetësim se Rusia ka dështuar të përmbushë detyrimet ligjore, përfshirë inspektimin [për programet bërthamore] dhe i bëj thirrje Rusisë të përmbushë detyrimet e saj sipas Traktatit”, shkroi në Twitter Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Edhe Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se Rusia po shkel Traktatin e ri START, i cili kufizon numrin e mbushjeve bërthamore që mund të dislokojnë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia përmes raketave tokësore, detare dhe bombarduesve. SHBA-të kanë thënë se Rusia nuk po lejon inspektimin e objekteve të saj, siç e kërkon Traktati. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, tha se Rusia mund të “rikthehet lehtësisht” te zbatimi i marrëveshjes. “Ekziston një rrugë e qartë për kthimin te marrëveshja. Ajo që Rusia duhet të bëjë është që të lejojë inspektimet në territorin e saj, ashtu siç veproi për vite me radhë sipas traktatit START dhe të marrë pjesë në takimin e komisionit konsultativ dypalësh. Asgjë nuk i pengon inspektorët rusë që të vijnë në Shtetet e Bashkuara dhe të zhvillojnë inspektimet”, tha Patel. Zyrtarët rusë i kanë fajësuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen që Uashingtoni i ka dhënë Kievit, teksa Ukraina përballet me agresionin rus.

 

Tags