Greva në Gjermani: Anulohen qindra fluturime
https://parstoday.ir/sq/news/world-i139958-greva_në_gjermani_anulohen_qindra_fluturime
Më shumë se 1,300 fluturime anuloi Lufthansa të premten si rezultat i një greve të stafit e cila preku të gjithë aeroportet qendrore të vendit.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Shkurt 18, 2023 19:48 Europe/Tirane
  • Greva në Gjermani: Anulohen qindra fluturime

Më shumë se 1,300 fluturime anuloi Lufthansa të premten si rezultat i një greve të stafit e cila preku të gjithë aeroportet qendrore të vendit.

Sindikata gjermane Verdi u bëri thirrje punonjësve në aeroportet e Frankfurtit, Mynihut, Shtutgartit, Hamburgut, Dortmundit, Hanoverit dhe Bremenit të mërkurën që të nisnin grevën pasi sipas saj, pak përparim ishte shënuar në përpjekjet për ta zgjidhur ngërçin përmes negociatave. Grevistët thonë se inflacioni i lartë po i gërryen të ardhurat e tyre. Më herët, aksionet e Lufthansës, e cila zotëron gjithashtu SWISS, Austrian Airlines, Brussels Airlines dhe Eurowings, ranë me 1.5%. Kjo është greva më e fundit e një serie aktivitetesh të tilla që kanë për qëllim rritjen e rrogave. Grevës i janë bashkuar këto ditë edhe punonjësit e kompanive të transportit urban apo edukatorët e kopshteve në disa qytete të Gjermanisë. Sindikatat kërkojnë përpara raundit të dytë të negociatave në 22 shkurt që rritja minimale e pagave të jetë të paktën në 500 euro në muaj bruto, por autoritetet i kanë refuzuar këto kërkesa si joreale.