Intensifikohen luftimet në Sudan
(last modified Sun, 23 Apr 2023 17:27:17 GMT )
Prill 23, 2023 19:27 Europe/Tirane
  • Intensifikohen luftimet në Sudan

Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara njoftuan se ushtria amerikane evakuoi personelin e ambasadës amerikane nga Sudani dhe mbylli selinë diplomatike atje.

Intensifikimi i luftimeve, pavarësisht një armëpushimi 72 orësh, të njoftuar të premten, ka nxitur edhe qeveritë e vendeve të tjera të fillojnë përpjekjet për evakuimin e diplomatëve dhe shtetasve e tyre të bllokuar në vendin afrikan. Ndërsa luftimet në Sudan po intensifikohen, një zyrtar i Pentagonit tha se Departamenti i Mbrojtjes po shqyrton mundësinë e dërgimit të dronëve për të monitoruar rrugët tokësore drejt qytetit Port Sudan dhe dërgimin e anijeve të marinës amerikane për të evakuuar amerikanët që mund të arrijnë atje. Rreth 16 mijë shtetas amerikanë ndodhen në Sudan. Të paktën 400 njerëz janë vrarë që nga fillimi i luftimeve në Sudan, përfshirë një shtetas amerikan. Zëvendës drejtorja e organizatës Human Rights Watch, Nicole Widdersheim tha se gjendja në Khartum është e rëndë. “Civilët në Sudan po përpiqen të largohen nga bombardimet dhe sulmet ajrore. Sipas ekspertëve tanë, të cilët janë në kontakt me njerëzit në Khartum, gjendja është duke u përkeqësuar”, tha ajo. Ndërsa disa vende po intensifikojnë përpjekjet për të evakuuar diplomatët dhe shtetasit e tyre nga Sudani, banorët e Kartumit po përballen me mungesa të ujit dhe ushqimeve, më shumë se një javë nga nisja e luftimeve.

 

Tags