Armëpushim 72-orësh mes palëve ndërluftuese në Sudan
(last modified Tue, 25 Apr 2023 09:51:38 GMT )
Prill 25, 2023 11:51 Europe/Tirane
  • Armëpushim 72-orësh mes palëve ndërluftuese në Sudan

Armëpushimi 3-ditor midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë filloi nga e marta.

Sipas Guardian, Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka bërë të ditur se dy palët në konflikt kanë rënë dakord për të ndërprerë konfliktin për tre ditë, armëpushim i cili ka nisur nga dita e martë. Blinken deklaroi se pas negociatave intensive që janë bërë në 48 orët e fundit, Forcat e Armatosura të Sudanit dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë ranë dakord të zbatojnë një armëpushim  72 orësh në të gjithë vendin duke filluar nga mesnata e 24 prillit. Ai shtoi:  Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje Forcave të Armatosura sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë që të angazhohen menjëherë dhe plotësisht për zbatimin e armëpushimit. Blinken pretendoi se vendi i tij po punon me aleatët për të formuar një komitet të posacëm për të negociuar një armëpushim të përhershëm në Sudan. Ai tha se ky armëpushim do të miratohet pas kontakteve që do të bëhen me qeverinë amerikane. Më parë (të mërkurën e kaluar) me rastin e festës së Fitër Bajramit armëpushimi mes ushtrisë dhe forcave të mbështetjes së shpejtë sudaneze nisi në orën 18:00 të asaj dite, por pas kësaj feste të dy palët në konflikt në Sudan u përplasën sërish me njëri-tjetrin. Në të njëjtën kohë me përshkallëzimin e konflikteve në Sudan, vende nga e gjithë bota tërhoqën diplomatët dhe shtetasit e tyre nga Sudani. Me vazhdimin e largimit të shtetasve të huaj nga Sudani, ambasadat e Japonisë, Holandës dhe Kanadasë në Sudan gjithashtu u mbyllën. Disa vende duke përfshirë Britaninë, Spanjën, Kinën, Arabinë Saudite, Jordaninë, Italinë, Turqinë, Francën, Danimarkën dhe Gjermaninë kanë evakuuar të gjithë stafin e ambasadave të tyre. Të dielën, ushtria amerikane me tre helikopterë nxori 100 punonjës të ambasadës nga Khartoumi. Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha se më shumë se 1,000 qytetarë të BE-së u evakuuan gjatë një fundjave të gjatë dhe intensive. Misionet ajrore për nxjerrjen e tyre u kryen nga Franca, Gjermania dhe partnerët e tjerë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres të hënën në Këshillin e Sigurimit paralajmëroi se ekziston rreziku që dhuna të përshkallëzojë situatën në Sudan dhe të përfshijë të gjithë rajonin. Ai theksoi se Kombet e Bashkuara dhe partnerët e tyre po vazhdojnë përpjekjet për të vendosur një armëpushim të përhershëm dhe për të ndërprerë konfliktet në Sudan sa më shpejt që të jetë e mundur. Përleshjet e armatosura mbi pushtetin në Sudan filluan javën e kaluar midis forcave të ushtrisë dhe forcave të mbështetjes së shpejtë. Sipas statistikave të fundit, numri i të vdekurve është rritur në 427 dhe numri i të lënduarve është rritur në 3700.

Tags