Rëndohet situata në Sudan
(last modified Tue, 25 Apr 2023 17:52:40 GMT )
Prill 25, 2023 19:52 Europe/Tirane
  • Rëndohet situata në Sudan

Prej disa ditësh Sudani është në gjendje të vështirë për shkak të sulmeve që kanë lënë të vdekur qindra persona.

Përplasjet e dhunshme midis dy ushtrive rivale, ushtrisë së rregullt vendase dhe trupave paraushtarake që njihen si Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, ka ngritur alarmin pasi asnjëra nga palët nuk po tërhiqet. Sot, një nga palët ndërluftuese mori nën kontroll një biolaborator që përmbante patogjenët e lisë dhe kolerës në kryeqytetin sudanez, Khartum. Kështu bëri të ditur sot Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila paralajmëroi se ekziston rreziku i lartë i kërcënimit biologjik. Përfaqësuesi i OBSH-së nga Sudani, Nima Said Abid, tha se teknikët e organizatës nuk mund të hynin në Laboratorin Kombëtar për Shëndetin Publik për të garantuar sigurinë e materialeve të rrezikshme. “Ky është shqetësimi kryesor. Teknikët e laboratorit nuk kanë qasje në laborator për të paketuar materialet biologjike dhe substancat e rrezikshme në mënyrë të sigurt”, tha Abid, duke refuzuar të specifikojë se cila nga palët ndërluftuese e ka pushtuar objektin. Ndërkohë, armëpushimi në Sudan ka sjellë një numër të lartë largimesh, ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara po qëndron në gatishmëri për të përballuar situatën e vështirë. Gjatë deklaratave, ata u shprehën se eksodi i sudanezëve pritet të arrijë deri në 270 mijë persona. Për të siguruar transportimin e tyre në Sudanin Jugor dhe Çad, ekipet humanitare të OKB-së duhet të përfundojnë planet brenda afatit prej 72 orësh. Aktualisht po punohet për të strehuar të sigurt një grup prej 20 mijë refugjatësh, ndërsa më pas do të vijohet me pjesën tjetër. Zëdhënësja e organizatës së refugjatëve deklaroi se ende nuk ka një numër përfundimtar refugjatësh, por puna po vijon intensivisht.

 

Tags