Polonia merr sisteme HIMARS, do t’i dislokojë pranë kufirit me Rusinë
(last modified Mon, 15 May 2023 17:53:21 GMT )
May 15, 2023 19:53 Europe/Tirane
  • Polonia merr sisteme HIMARS, do t’i dislokojë pranë kufirit me Rusinë

Polonia ka marrë dërgesën e parë me sistemet raketore HIMARS, të prodhimit amerikan.

Varshava planifikon që t’i dislokojë këto sisteme në një rajon që gjendet në kufi me Rusinë, tha ministri polak i Mbrojtjes. “Kjo armë do të dislokohet në pjesën verilindore të shtetit tonë… detyra e saj është të pengojë agresorin”, tha ministri i Mbrojtjes Mariusz Blaszczak për gazetarët më 15 maj. Në mars, Ministria e Mbrojtjes e Polonisë tha se HIMARS-ët, që janë sistem raketor me rreze të gjatë veprimi dhe mjaft preciz, do të stacionohen në njësi ushtarake në Olsztin, që gjendet rreth 80 kilometra nga kufiri rus, afër enklavës së Kaliningradit. Blaszczak tha se HIMARS-ët do të “forcojnë ushtrinë polake në krahun lindor të Polonisë dhe krahun lindor të NATO-s”. Polonia, shtet në kufi me Ukrainën, të cilën e ka mbështetur, kishte blerë 20 HIMARS nga SHBA-ja më 2019 dhe tani ka pranuar dërgesën e parë me këto sisteme raketore. Por, Varshava tani është duke negociuar me Shtetet e Bashkuara që të blejë më shumë HIMARS. “Kongresi amerikan ka miratuar shitjen e pothuajse 500 sistemeve për Poloninë. Këta raketahedhës do të blihen nga Polonia shumë shpejt”, tha Blaszczak.

 

Tags