Dëbimi masiv i stafit të ambasadës gjermane nga Rusia
https://parstoday.ir/sq/news/world-i144570-dëbimi_masiv_i_stafit_të_ambasadës_gjermane_nga_rusia
Rusia ka dëbuar 100 mësues dhe një grup punonjësish gjermanë në fushën kulturore të cilët janë të lidhur me ambasadën e Berlinit në Moskë.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
May 28, 2023 08:22 Europe/Tirane
  • Dëbimi masiv i stafit të ambasadës gjermane nga Rusia

Rusia ka dëbuar 100 mësues dhe një grup punonjësish gjermanë në fushën kulturore të cilët janë të lidhur me ambasadën e Berlinit në Moskë.

Sipas Associated Press, Rusia nga muaji i ardhshëm do të fillojë të dëbojë me dhjetëra diplomatë, së bashku me mësues dhe punonjës të institucioneve kulturore të lidhura me qeverinë gjermane.  Marrëdhëniet  midis dy vendeve janë tensionuar që kur Rusia sulmoi Ukrainën në fillim të vitit të kaluar. Ministria e Jashtme gjermane e kritikoi ashpër këtë veprim të Rusisë, duke i quajtur dëbimet "një vendim të njëanshëm, të pajustifikuar dhe të pakuptueshëm". Këto dëbime u bënë si përgjigje ndaj reduktimit të pranisë së shërbimeve të inteligjencës ruse në Gjermani në fillim të këtij viti. Dëbimi në shkallë të gjerë i stafit të ambasadës gjermane në Rusi vjen një muaj pasi Ministria e Jashtme ruse njoftoi se do të hakmerrej ndaj veprimit të Gjermanisë kundër diplomatëve rusë.   Vendimi i Moskës erdhi pasi Berlini në prill akuzoi më shumë se 30 diplomatë rusë se punonin si oficerë të inteligjencës dhe u kërkoi atyre të largoheshin nga Gjermania. Marrëdhëniet e Gjermanisë me Rusinë janë acaruar për shkak të luftës në Ukrainë dhe Berlini ka ndërprerë bashkëpunimin dypalësh me këtë vend duke akuzuar Moskën për krime lufte. Gjermania gjithashtu ka marrë pjesë në vendosjen e sanksioneve të ashpra ekonomike kundër Rusisë. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë vitin e kaluar, qeveria e koalicionit e kancelarit gjerman Olaf Schultz ka premtuar mbështetje të plotë politike dhe ekonomike për Ukrainën dhe ka dërguar armë në këtë vend. Schultz gjithashtu të premten, në një konferencë të përbashkët shtypi me krerët e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë në Talin, tha se vendi i tij është i gatshëm të mbrojë aleatët e tij në rajonin Baltik kundër agresionit ushtarak.