Çlirohen tre fshatra të vijës së parë të frontit në Donetsk
Forcat e armatosura të Ukrainës pretenduan se kishin rimarrë tre fshatra nga kontrolli i forcave ruse në provincën Donetsk në juglindje të këtij vendi.
Sipas Guardian, në një video të publikuar të dielën nga Brigada e 68 Yager, ushtarët ukrainas ngritën flamurin mbi një ndërtesë në fshatin Blahodatne. Valery Shershan, një zëdhënës rajonal i ushtrisë ukrainase, tha se fshati Blahodatne disa kilometra në jug të fshatit Velika Novosilka, në periferi të rajoneve Donetsk dhe Zaporizhia, është nën kontrollin e Kievit. Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, gjithashtu në një deklaratë tha se forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e fshatit Makaryuka dhe kanë përparuar nga 300 deri në 1500 metra në dy drejtime në frontin jugor. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë të dielën theksoi se në këtë zonë zmbrapsi sulmet e Ukrainës. Në një deklaratë, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se përpjekjet e Ukrainës për të nisur operacione kundërsulmuese në akset e vijës së parë të frontit në Donetsk dhe Zaporizhia n kanë dështuar.