Pas 5 vitesh marrëdhënie të tensionuara; Blinken shkon në Kinë
Ndërkohë që tensionet mes Uashingtonit dhe Pekinit vitet e fundit kanë arritur kulmin, Sekretari amerikan i Shtetit mbërriti në Kinë për një vizitë zyrtare.
Sipas CNN, pas 5 vitesh marrëdhënie të tensionuara mes Pekinit dhe Uashingtonit, Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken mëngjesin e kësaj të diele mbërriti për një vizitë zyrtare në Kinë. Anthony Blinken është zyrtari i parë i lartë i qeverisë amerikane që në pesë vitet e fundit të mosmarrëveshjeve politike viziton Kinën. Udhëtimi kryhet në mes të një liste të gjatë mosmarrëveshjesh midis dy ekonomive më të mëdha në botë. Kjo e ka bërë shumë të zbehtë perspektivën e ndonjë përparimi të shpejtë në bisedimet e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së me zyrtarët kinezë. Marrëdhëniet midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara u bënë edhe më të errëta gjatë presidencës së Donald Trump dhe qeveria e Joe Biden, përveç ruajtjes së tarifave të rënda të administratës Trump për importin e mallrave kineze, u përpoq të vendoste bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe atë ushtarake me aleatët amerikanë për të parandaluar kështu zgjerimin e ndikimit të Kinës në Oqeanin Paqësor dhe në Indi. Takimi i nëntorit të kaluar i udhëheqësve të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në ishullin indonezian të Balit lehtësoi për pak kohë frikën për një Luftë të re të Ftohtë, por pasi një balonë spiune kineze fluturoi mbi Shtetet e Bashkuara, marrëdhëniet midis Pekinit dhe Uashingtonit u tensionuan dhe u anulua vizita e paralajmëruar e Blinken në Kinë. Marrëdhëniet tregtare, situata e Tajvanit dhe Hong Kongut, situata e të drejtave të njeriut në Kinë, prania ushtarake e vendit në Detin e Kinës Jugore dhe operacionet ushtarake të Rusisë në Ukrainë, janë pikat kryesore të mosmarrëveshjes midis Uashingtonit dhe Pekinit. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar në fusha të ndryshme, duke ngritur kështu shqetësimin se një ditë të dy vendet mund të përplasen për ishullin e Tajvanit, që Kina pretendon se i përket asaj. Gjatë qëndrimit të tij në Pekin, i cili zgjat deri të hënën, Blinken pritet të takohet me ministrin e jashtëm kinez Wang Yi dhe presidentin Xi Jinping. Ai synon të krijojë kanale të hapura dhe të qëndrueshme komunikimi për të siguruar që të mos ketë një konflikt ushtarak midis Kinës dhe Shtetet e Bashkuara. Biden të shtunën tha se në muajt e ardhshëm shpreson të takohet me presidentin Xi. Para se të largohej nga vendi i tij për në Kinë, Blinken tha se udhëtimi ka tre qëllime kryesore: të krijojë mekanizma të menaxhimit të krizave, të promovojë interesat e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj dhe të flasë drejtpërdrejt për shqetësimet e ndryshme, si dhe të eksplorojë fushat e bashkëpunimit të mundshëm. Por zyrtarët amerikanë, të cilët disa ditë më parë kanë analizuar këtë vizitë, i ulën tejmase pritshmëritë për progrese në negociatat mes dy vendeve. Ndërsa qëllimi kryesor i Blinken do të jenë bisedimet "e sinqerta, të drejtpërdrejta dhe konstruktive", zyrtarët thanë se nuk ka gjasa të arrihet ndonjë përparim në ndonjë nga çështjet kryesore. Pjesa tjetër e botës do të shikojë nga afër udhëtimin e Blinken, pasi çdo përshkallëzim i tensioneve midis superfuqive mund të ketë pasoja globale për gjithçka, nga tregjet financiare tek rrugët tregtare dhe zinxhirët globalë të furnizimit.