Korrik 26, 2023 09:26 Europe/Tirane
  • 5 të vdekur nga stuhia dhe zjarri në Itali

Qeveria italiane bëri të ditur se stuhia dhe zjarri në këtë vend morën 5 jetë njerëzish.

Sipas Klubit të Gazetarëve, qeveria italiane thotë se ndryshimet klimatike janë shkaku i këtyre stuhive dhe zjarreve dhe ajo mund të vendosë një gjendje të jashtëzakonshme në zonat e prekura rëndë.

Stuhia që shpërtheu në qytetet Brescia dhe Lissone në veri të Italisë dhe rënia e pemës vrau të paktën 2 gra. Shpejtësia e erës në Milano të martën ka arritur në kufirin e 100 kilometrave në orë, ndërsa shiu i dendur ka shkaktuar përmbytje në rrugë dhe shkulje të pemëve. Si pasojë e kësaj stuhie janë shkaktuar dëme të rënda në rrjetin elektrik të Milanos dhe është ndërprerë për disa orë edhe uji i pijshëm i pjesës së vjetër të qytetit. Paralelisht me këto stuhi në veri të Italisë, edhe jugu i këtij vendi po përjeton nxehtësi ekstreme, saqë të martën në qytetin e Katanias në Siçili, temperatura arriti në 47 gradë Celsius. Për shkak të vapës së madhe në këtë zonë deri më tani kanë humbur jetën 3 persona. Ndërkohë, mbrëmjen e së martës flakët rrethuan aeroportin e Palermos në ishullin italian të Siçilisë, duke detyruar aeroportin të mbyllet. Zjarrfikësit po luftojnë me zjarret në jug të Italisë ku njerëzit kanë duruar javë të tëra temperaturash mbi 30 gradë Celsius. Një tjetër zjarr shpërtheu pranë Palermos në Siçili dhe disa zjarre të tjera kanë shpërthyer në ishullin turistik bregdetar Cefalu.

Tags