Nigeri në prag të konfliktit ushtarak
Junta ushtarake në Niger, ka kërkuar ndihmën e mercenarëve rusë të kompanisë private Wagner për të mbajtur pushtetin të marrë me grusht shteti.
Lëvizja vjen në prag të përfundimit të afatit të dhënë nga blloku rajonal i vendeve të Afrikës për të liruar kreun e shtetit ose do të përballen me ndërhyrje ushtarake. Nëse puçistët në Niger nuk lirojnë presidentin e rrëzuar të vendit, ata do të përballen me ndërhyrje ushtarake nga blloku rajonal i Afrikës Perëndimore, sipas raportimeve nga vendi afrikan. Kërkesa e juntës ushtarake ndaj forcave të Wagner-it erdhi gjatë një vizite të liderit të grushtit të shtetit gjeneralit Salifou Mody, në shtetin fqinj Mali, ku ai sipas raportimeve ka kontaktuar grupin e mercenarëve rusë Wagner, ka thënë për mediat një analist. Ai tha se tri burime nga Mali dhe një diplomat francez e konfirmuan takimin, për të cilin së pari raportoi televizioni France 24. Ata kanë nevojë për mercenarët e Wagner-it sepse ata do të bëhen garancia e tyre për ta mbajtur pushtetin”, tha burimi, duke shtuar se ky grup po e konsideron kërkesën. Junta e Nigerit përballet me ultimatum deri të dielën nga blloku rajonal i Afrikës për të liruar dhe kthyer në zyrë presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohamed Bazoum, i cili e ka përshkruar veten si peng. Shefat e mbrojtjes së shteteve anëtare organizatës afrikane finalizuan një plan intervenimi të premten dhe u bënë thirrje ushtrive të përgatiten, pasi një ekip ndërmjetësues i dërguar në Niger të enjten nuk u lejua të futej në qytet, apo të takohej me liderin e juntës. Pas një vizite në Mali, Mody paralajmëroi kundër ndërhyrjes ushtarake, duke u zotuar se Nigeri do të bënte gjithçka që është e mundur për të mos u bërë “Libia e re”. Nigeri ka përjetuar katër grusht shtete dhe tentative të shumta të tjera që nga pavarësimi nga Franca në vitin 1960.