Diplomatja e lartë amerikane takon udhëheqësit ushtarakë të Nigerit
Diplomatja e lartë amerikane është takuar me udhëheqësit ushtarakë të Nigerit për të bërë presion për të anuluar një grusht shteti.
Por ajo nuk raportoi përparim një ditë pasi junta injoroi një ultimatum nga blloku i Afrikës Perëndimore që kishte kërcënuar për një ndërhyrje ushtarake kundër puçistëve. Victoria Nuland, një diplomate veterane e cila është zëvendëssekretare e DASH, tha se u takua të hënën për më shumë se dy orë me krerët e ushtrisë që më 26 korrik rrëzuan Mohamed Bazoum, një aleat perëndimor. Ajo i përshkroi bisedimet si “jashtëzakonisht të sinqerta dhe nganjëherë mjaft të vështira”, por se ofroi “një numër opsionesh” për të dalë nga kriza dhe për të rivendosur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, të cilat si vendet e tjera perëndimore kanë pezulluar ndihmën për Nigerin. Ajo tha se junta nuk iu përgjigj kërkesave të saj për të takuar liderin e juntës së Nigerit, gjeneralin Abdourahamane Tchiani, apo presidentin e rrëzuar, Mohamed Bazoum. Nuland tha gjithashtu se ajo paralajmëroi Nigerin që të mos ndjekë Malin fqinjë në sjelljen e mercenarëve rusë të Wagner-it. “Njerëzit që kanë ndërmarrë këtë veprim këtu i kuptojnë shumë mirë rreziqet për sovranitetin e tyre kur ftohet Wagner”, citohet të ketë thënë Nuland, e njohur për qëndrimin e saj të ashpër ndaj Rusisë.