55 të vdekur nga zjarret në Havai
(last modified Fri, 11 Aug 2023 18:13:02 GMT )
Gusht 11, 2023 20:13 Europe/Tirane
  • 55 të vdekur nga zjarret në Havai

Zjarret që kanë pushtuar rajonin Mauin në Havai kanë marrë të paktën 55 jetë njerëzish, e bilanci i vdekjeve mund të rritet akoma edhe më shumë.

Flakët kanë shkrumbuar thuajse krejtësisht qytezën Lahaina, një destinacion i famshëm i vizituar nga 2 milionë turistë në vit, duke i lënë atje mijëra persona pa strehë mbi kokë, pohoi guvernatori Josh Green. Nga katastrofa, e cilësuar si më e rënda në historinë e vendit, besohet të jenë rrafshuar 1.000 ndërtesa. “Me mijëra vetë kanë mbetur të pastrehë nga zjarret. Situata është mjaft e rëndë. Do të duhen shumë vite për ta rindërtuar Lahainan. Ne po marrim masa për të strehuar personat të cilëve u janë djegur shtëpitë. Kemi kërkuar fillimisht 2.000 dhoma, si nëpër hotele ashtu edhe nëpër banesa që mund të japim dhoma shtesë me qira”, shtoi ai. Havai është duke u përballur me zjarre pyjore prej të martës, të nxitura nga erërat e fuqishme dhe thatësia e madhe. Autoritetet kanë nisur të ndajnë ndihma për të prekurit nga zjarret, ndërsa zyrtarë amerikane në Kaliforni dhe Uashington i kanë nisur ekipet e tyre për të përforcuar përpjekjet e kërkim-shpëtimit.