Udhëheqësit e Afrikës Perëndimore diskutojnë ndërhyrjen ushtarake në Niger
(last modified Sat, 12 Aug 2023 18:51:08 GMT )
Gusht 12, 2023 20:51 Europe/Tirane
  • Udhëheqësit e Afrikës Perëndimore diskutojnë ndërhyrjen ushtarake në Niger

Udhëheqësit e Afrikës Perëndimore po diskutojnë të shtunën mbi alternativat e mundshme për përmbysjen e grushtit të shteti në Niger që ka tronditur rajonin, por që nga ana tjetër gëzon mbështetje të madhe në vend.

Ushtria e Nigerit burgosi presidentin Mohamed Bazoum muajin e kaluar dhe mori pushtetin, një veprim që u dënua nga fuqitë ndërkombëtare dhe ngjalli frikën për konflikt të mëtejshëm në rajonin e varfër Sahel të Afrikës Perëndimore. Blloku rajonal ECOWAS vendosi të enjten të aktivizojë një grup pune me pjesëmarrjen e trupave nga i gjithë rajoni për një ndërhyrje të mundshme ushtarake për të përmbysur grushtin e shtetit. Në lojë nuk është vetëm fati i Nigerit – një prodhues kryesor i uraniumit– por edhe shqetësimet e fuqive globale me interesa strategjike kyçe në rajon. Fuqitë perëndimore druhen se mund të forcohet ndikimi rus nëse junta në Niger ndjek shembullin e Malit duke dëbuar trupat perëndimore dhe duke thirrur mercenarë nga Grupi Wagner i Rusisë. Mijëra vetë u mblodhën në kryeqytetin e Nigerit të premten për të demonstruar në favor të grushtit të shtetit. Tubimi filloi në një bazë ushtarake franceze në kryeqytetin Niamey, më pas protestuesit me banderola dhe flamuj u përhapën në rrugët përreth. “Rroftë Rusia, Poshtë Franca… Poshtë ECOWAS”, shkruhej në parullat e protestuesve. Nuk është ende e qartë se sa kohë do t’i duhet forcës së ECOWAS-it të organizohet, sa e madhe do të ishte ajo dhe nëse me të vërtetë do të ndërhynte ushtarakisht në Niger.