Shkon në 93 numri i viktimave nga zjarret në Hawaii
Numri i vdekjeve në Hawaii është rritur sërish në një bilanc prej 93 personash, teksa flakët rrafshuan një qytet të tërë.
Më shumë se 2200 ndërtesa u dëmtuan dhe u shkatërruan pasi zjarri shpërtheu ne Lahaina, duke shkaktuar dëme prej 5.5 miliardë dollarësh. Së fundmi në zjarret më të rënda në SHBA gjatë 100 viteve të fundit kanë mbetur mijëra persona të pastrehë. Autoritetet ne Hawaii kanë nisur hetimet për shkaqet e zjarrit, ndërsa banorët kanë deklaruar se nuk ka pasur asnjë paralajmërim. Ishulli ka sirena alarmi për të paralajmëruar për fatkeqësi natyrore dhe kërcënime të tjera, por mendohet se ato nuk kanë rënë gjatë zjarrit. Ndërtesat janë kthyer në gërmadha, hotelet dhe restorantet që presin miliona turistë janë shkatërruar totalisht. Guvernatori Josh Green deklaroi se numri i viktimave pritet të rritet edhe më shumë, pasi e gjithë situata e flakëve doli jashtë kontrollit. Përveç banorëve vendas që u evakuuan me shpejtësi, turistët ishin ata që kërkuan të largohen duke braktisur pushimet e tyre.