Rusia rrëzon tre dronë afër Moskës
Rusia ka rrëzuar tre dronë ukrainas në rrugën e tyre për të sulmuar kryeqytetin Moskë, ndërsa zjarri i artilerisë së forcave të Kievit plagosi gjashtë persona në një qytet kufitar.
Një dron u shkatërrua afër kufirit në rajonin e Belgorodit në orën 09:00, ndërsa një tjetër u kap mbi të njëjtin rajon në orën 14:15, tha të shtunën ministria ruse e mbrojtjes, duke shtuar se një dron i tretë i drejtuar për në kryeqytetin rus në orët e para të mëngjesit është neutralizuar gjithashtu. Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin tha se një dron u rrëzua nga sistemet e mbrojtjes ajrore mbi distriktin Istra të rajonit të Moskës. Rrethi Istra është rreth 50 km në perëndim të Kremlinit. Tre aeroportet e Moskës Sheremetyevo, Domodedovo dhe Vnukovo u detyruan të pezullojnë përkohësisht fluturimet e tyre për shkak të alarmit, njoftoi agjencia e lajmeve TASS. Në rajonin e Belgorodit në kufi me Ukrainën, guvernatori Vyacheslav Gladkov tha se mbrojtja ajrore ruse rrëzoi një dron pranë fshatit Kupino, pa raportuar për dëme apo viktima. Ai shtoi, megjithatë, se gjashtë persona ishin plagosur nga forcat ukrainase që bombarduan një fshat tjetër, Urazovo, rreth 10 km nga kufiri ukrainas. Gladkov tha se forcat e Kievit qëlluan me "municione thërrmuese" në sulmin e së shtunës dhe tha se ndërtesat e banimit ishin dëmtuar. "Si rezultat i sulmit me municione thërrmuese, 6 civilë pësuan plagë të rënda," tha Gladkov duke shtuar se "një viktimë është në gjendje jashtëzakonisht të rëndë".