Putin u drejtohet anëtarëve të Wagner: Betohuni për besnikëri ndaj Rusisë
Presidenti rus Vladimir Putin, pas vdekjes së Prigozhin, u ka bërë thirrje të gjithë pjesëtarëve të grupit Wagner që të betohen për besnikëri ndaj shtetit rus.
Ai nënshkroi të premten një dekret që do zbatohet për këdo që merr pjesë në aktivitete ushtarake në Ukrainë, ndihmon ushtrinë dhe shërben në njësitë e mbrojtjes territoriale, i cili do të hyjë menjëherë në fuqi. Dekreti vjen vetëm dy ditë pasi liderët e grupit Wagner u shpallën të vdekur pas rrëzimit të aeroplanit në rajonin Tver të Rusisë. Komiteti hetimor rus tha se trupat e gjetur në vendin e rrëzimit do t’i nënshtrohen testit gjenetik për të konfirmuar identitetin e tyre. Prigozhin së bashku me drejtues të tjerë të grupit mercenar Wagner besohet të ketë qenë në aeroplanin që u rrëzua në mënyrë misterioze të mërkurën. Ende nuk është paraqitur asnjë provë konkrete për të vërtetuar vdekjen e tyre.