Libia pezullon ministren e Jashtme për takimin me homologun izraelit
(last modified 2023-08-29T17:12:19+00:00 )
Gusht 29, 2023 19:12 Europe/Tirane
  • Libia pezullon ministren e Jashtme për takimin me homologun izraelit

Ministrja e Jashtme libiane Najla al-Mangoush është “pezulluar përkohësisht” dhe do t’i nënshtrohet një “hetimi administrativ” nga një komision i kryesuar nga ministri i drejtësisë, tha kryeministri libian Abdulhamid Dbeibah të dielën në mbrëmje në një vendim zyrtar.


Ajo akuzohet për takimin me homologun izraelit Eli Cohen. Ministria e Jashtme libiane e përshkroi atë si një “takim të rastësishëm dhe jozyrtar”, por lajmet për takimin kishin çuar tashmë në protesta në rrugë në disa qytete libiane. Protesta masive shpërthyen në mbarë Libinë të dielën pasi ministria e jashtme e Izraelit tha se ministrat e jashtëm të dy vendeve ishin takuar javën e kaluar. Në deklaratë thuhet se ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen dhe Mangoush, homologia e tij libiane në administratën me bazë në Tripoli, folën në një takim në Romë të organizuar nga Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani. Lajmi për takimin kishte ngjallur protesta në disa qytete libiane dhe një letër kishte ardhur nga Këshilli Presidencial i vendit ku kërkonte sqarime. Ministria e Jashtme libiane akuzoi Izraelin se po përpiqej ta “paraqiste këtë incident” si një “takim ose bisedime”. Ministrja e Jashtme libiane Najla al-Mangoush mësohet se është larguar nga Libia pas lajmit për pezullimin e saj dhe për fillimin e hetimeve ndaj saj.

 

Tags